Pesë vite burg është masa e caktuar nga Gjykata e Tiranës për infermieren, e cila i vodhi paratë një pacienti që ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit në Spitalin Infektiv.
Gjykata dënoi Ronida Hysën, infermieren e Infektivit, të akuzuar për vjedhjen e parave të një pacienti të vdekur nga Covid-19.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Hysës iu ul në katër vjet e tre muaj burg. Infermierja e Infektivit u arrestua në janar 2021.
Ajo u kallëzua nga djali i një pacienti, që ndërroi jetë nga virusi. Hetimi provoi se e reja kishte terhequr gati 60 mijë lekë në bankomat të ndryshëm përmes kartës së pacientit.
Kujtojmë këtu se vetë infermierja 30-vjeçare, pranoi se kishte vjedhur paratë e të ndjerit për të cilën u akuzua. Infermierja kishte filluar punë në muajin tetor të vitit 2020. Ajo vodhi para nga portofoli dhe llogaria bankare e pacientit K.D., që ishte i shtruar tek COVID-1.
Denoncimi u publikua në emisionin “Stop”, ku djali i viktimës deklaronte se babai i tij ishte vjedhur, pasi kishte ndërruar jetë. Në total, pacientit në fjalë iu morën 60 mijë lekë.
Po ashtu, mësohet se ajo ka tërhequr tre herë para, nga 20 mijë lekë të reja në secilin rast.