Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani deklaroi se ngjarja tragjike e ndodhur mesditën e 4 qershorit, ku 53-vjeçari Merxhit Picari vrau ish-dhëndrin e tij Kudret Saliaj, mund të ishte parandaluar. Deklarata e Breçanit u bë mbrëmjen e sotme në emisionin ”Open” në Top Channel.
Sipas tij, avokati Adriatik Cama i cili mbeti i plagosur, e neglizhoi situatën, pasi ai i pa personat që ishin pranë lokalit, dhe nuk njoftoi policinë.
Erzen Breçani: ”Është vrasje me paramendim. Ka diçka. Duhet të them që gruaja ishte në “arrest shtëpie” dhe dihet që atë ditë e theu këtë vendim gjykate në bashkëpunim me të atin. Kemi neglizhencë edhe të avokatit sepse i ka parë personat që ishin pranë lokalit. Ai e dinte se ajo ishte në arrest shtëpie, duhet të njoftonte policinë. Qytetari, po në këtë rast avokati ka neglizhuar njoftimin e policisë dhe është plagosur. Nëse njoftonte policinë do ishte parandaluar ngjarja tragjike. Ai e di se është mbrojtës i ligjit dhe e di kur thyhet një arrest shtëpie”.
Si ndodhi vrasja
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e datës 4 qershor, në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës, ku Mexhit Picari, vrau në mes të lokalit bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj 41 vjeç, pak minuta para seancës së 5-të. I plagosur mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama.
Viktima në momentin që është vrarë nga ish-vjehrri, ndodhej pranë gjykatës duke konsumuar një kafe me avokatin e tij, në këtë proces divorci, Adriatik Camaj, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur. Autori ka qenë bashkë me vajzën Dhurata Saliaj në të njëjtin lokal me viktimën, disa karrige me tej. Mexhit Picari i ka shkuar nga afër Kudret Saliaj dhe e ka qëlluar me pistoletë. Pasi ka kryer vrasjen, është larguar në këmbë mes pallatesh. Ai është arrestuar tek shtëpia e vajzës së tij në Yzberisht.