Më 11 shtator, në mbarë vendin, do të nisë viti i ri shkollor 2017-2018.
Kështu, e hëna e dytë e shtatorit shënon ditën e parë të shkollës për nxënësit e arsimit parauniversitar, ndërsa viti shkollor është parashikuar të përfundojë më 7 qershor të 2018-s për 9- vjeçaren, dhe një javë më vonë për ata të arsimit të mesëm.
PROVIMET:
Në qershor do të zhvillohen provimet e fundit të nxënësve që mbyllin arsimin bazë dhe ata të maturës shtetërore.
Minimaturantët do të testohen në intervalin midis 11 dhe 30 qershorit, ndërsa për maturantët provimet nisin më herët e zgjasin deri në fund të muajit qershor. Maturantët do të mbyllin ciklin mësimor një javë përpara të tjerëve, më 31 maj, ndërsa një ditë më vonë hyjnë në periudhën e provimeve.
Nxënësit e arsimit profesional kanë data të ndryshme për provimet. Niveli I dhe II do të testohen në periudhën nga 4-15 qershor, ndërsa niveli III nga 28 maji deri më 1 qershor të 2018-s, shkruan Shqiptarja.com. I gjithë muaji qershor do të jetë në dispozicion për maturantët e profesionales.
ARSIMI PROFESIONAL:
11 shtatori është e vetmja datë e përbashkët me nxënësit e tjerë, ndërsa përfundimi i shkollës ndryshon në varësi të strukturës së profilit të arsimit që ndjekin nxënësit e profesionales. Kështu, nxënësit e klasave të dhjeta mbyllin vitin shkollor më 14 qershor, po ashtu edhe ata të klasave XII, të strukturës 2+2 dhe nxënësit e klasave XI e XII, 4-vjeçare. Ndërkaq, maturantët dhe nxënësit e klasave XI e XII (struktura 2+2 dhe 2+1+1), e përfundojnë mësimin që më datën 31 maj.