Ndonëse ende nuk ka një konfirmim nga institucionet, dyshimet janë se një shqiptar mund të jetë infektuar nga koronavirusi i frikshëm, që çdo orë merr jetë njerëzish. Burimet për “Klan” bëjnë me dije se një nga personat e prekur nga koronavirusi në SHBA, mund të jetë një shtetas shqiptar. Lajmi nuk konfirmohet nga autoritetet amerikane, edhe për faktin e thjeshtë se ky person është i pajisur me dokumente britanike. Personi që është diagnostifikuar me virusin e fundit kinez në aeroportin e Los Angelos, menjëherë sapo avioni me të cilin udhëtonte që po vinte nga qyteti Wuhan, është shtetas shqiptar, me dokumente britanike, por me kombësi kosovare.
Të njëjtat burime shtojnë se me gjasa bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, nga një qytet në veri të Shqipërisë. Personi në fjalë po udhëtonte nga qyteti kinez i Wuhanit, aty ku edhe shpërtheu virusi vdekjeprurës, drejt Los Angeles për një vizitë familjare tek e motra.
Burri rreth të dyzetave, prej disa kohësh punonte në një kompani britanike në qytetin e Wuhanit në Kinë. Sipas mediave amerikane, ai shënon edhe rastin e tretë të prezencës së virusit ne Shtetet e Bashkuara.
Burri ishte ndjerë keq gjatë udhëtimit në avion, dhe sapo ka zbritur në Los Angelos, është identifikuar nga mjekët e instaluar në aeroport me virus, pasi ra menjëherë në koma, kur iu nënshtrua kontrollit mjekësor. Pasi u shtrua në spital, autoritetet mjekësore në Los Angelos, shprehen se personi në fjalë është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk rrezikon jetën.
Paniku i shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, ka detyruar kompanitë ajrore të marrin masa drastike në mbrotje të udhëtarëve. Pasagjerët e disa linjave në Kinë, nuk do të munden të konsumojnë mish, të përdorin batanije apo të lexojnë gazeta, teksa kompanitë ajrore po marrin masa për të mbrojtur udhëtarët nga koronavirusi.
Nga ana tjetër, shkencëtarët në Australi kanë zhvilluar një version laboratorik të sëmundjes vdekjeprurëse. Në këtë laborator do të zbulohet se a jep efekt vaksina që do të krijohet. Tani ata do ta ndajnë vaksinën me Organizatën Botërore të Shëndetit (WHO) në Evropë, e cila nga ana tjetër do ta ndajë atë me laboratorë në mbarë botën, një garë kjo që do të përfshirë gjitha vendet për të krijuar vaksinën kundër koronavirusit.