“Një vizatim i flamurit kinez ku në vend të katër yjeve janë katër viruse” ishte postimi që ka provokuar diplomacinë kineze. Vizitimi i publikuar nga gazeta daneze “Jyllands-Posten” ka “nxehur” ambasadorin kinez në Danimarkë, i cili ka reaguar dhe ka kërkuar që gazeta të kërkojë falje.
“Shprehim indinjatën tonë të thellë dhe kërkojmë që gazeta Jyllands-Posten bashkë me autorin e vizatimit, Niels Bo Bojesen, ta qortojnë veten dhe t’i kërkojnë falje publikisht popullit kinez”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Kinës në Kopenhagë.
Sakaq, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeredaktorit të gazetës, Jacob Nybroe, i cili ka thënë: Nuk mund të kërkojmë falje për diçka që mendojmë se nuk është gabim. Ne nuk kemi qëllim të ngacmojmë dhe nuk mendojmë se ky vizatim është duke e bërë këtë.
Në debat është përfshirë edhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
“Nuk kam asgjë tjetër për të thënë për këtë çështje, përpos që ne e kemi një traditë shumë të fuqishme, jo vetëm për lirinë e shprehjes, por edhe për lirinë e satirës dhe ne do të vazhdojmë ta kemi këtë në të ardhmen”, tha shefja e qeverisë daneze.