Situata është kritike në Kinë, deri tani raportohen 81 viktima nga virusi misterioz dhe gati 3000 të infektuar, prej të cilëve 400 janë në gjendje kritike për jetën. Sipas shumë informacioneve që qarkullojnë në kanale jo zyrtare, situata është më e rëndë seç raportohet, numri i të prekurve mund të jetë disafish më i lartë.
Teksa harta është zgjeruar dhe tashmë virusi është shpërndarë në shumë rajone të globit, OBSH-ja i trembet një pandemie. Për këtë arsye, Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, do të zhvillojë sot një takim të veçantë me zyrtarët në Pekin për të diskutuar rreth masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Javën e kaluar OBSH-ja refuzoi të shpallë gjendjen e emergjencës ndërkombëtare. Sakaq shifrat kanë ndryshuar dhe mënyra e përhapjes së virusit mund të detyrojë zyrtarët që të ndryshojnë mendje në këtë takim, shkruan “The Guardian”.
Kina deri tani ka futur në karantinë 17 qytete me një popullsi mbi 60 milionë banorë. Të hënën, masa të tilla mori edhe komuna Chongqing, në të cilën jetojnë 30 milionë banorë.
Virusi tashmë është përhapur edhe në shumë vende të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe Australia i kanë konfirmuar nga pesë raste secila dhe pacientët i kanë vendosur në izolim të plotë.