Virusi i Nilit Perëndimor prek Greqinë, 6 viktima

Virusi i Nilit Perëndimor ka prekur Greqinë, ku si pasojë e tij janë shënuar 6 viktima.

Raportohet se ky lloj virusi po përhapet veçanërisht në Xanthi të Greqisë ndërsa në gjithë vendin konfirmohen 39 persona të infektuar.

Virusi shkakton sëmundjen virale të Etheve të Nilit Perëndimor, emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen.

Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.