Viktima e Shkodrës, Gjykata i pati sekuestruar pallatin 2-milionë euro

Bardhok Pllanaj është personi i cili u ekzekutua këtë të diel në qytetin e Shkodrës. Ai njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tri vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10- katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Gjithashtu, Bardhok Pllanaj ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, në operacionin e quajtur “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e Policisë kufitare dhe ato të “Guardia di Finanza” panë të hidheshin nga një mjet lundrues në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e Policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian.