Video/ Si u neutralizua 34-vjeçari që plagosi 5 persona në xhami

Publikohen pamjet kur qytetarë dhe besimtarë neutralizojnë agresorin Rudolf Nikolli, i cili plagosi me thikë 5 persona në ambjentet e xhamisë “Dine Hoxha”.

Siç shihet në pamje, një grup personash kanë ndërhyrë menjëherë duke e shtrirë në tokë 34-vjeçarin dhe duke e goditur me grushta dhe shkelma me pretendimin se kishte hyrë në xhami dhe kishte vrarë disa persona.

Për shkak t dhunës së ushtruar ndaj tij, Nikolli shfaqej i gjakosur dhe me shenja në kokë në foton e publikuar nga Policia e Shtetit.

Mesditën e sotme, Rudolf Nikolli, u fut brenda në xhami dhe qëlloi me thikë besimtarë e punonjës të xhamisë, duke lënë pesë persona të plagosur.

Tashmë ai është vënë në pranga, ndërsa të plagosurit janë në spital, duke marrë mjekimin dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një konflikt çasti apo sulm terrorist. Autori rezulton të ketë kryer edhe një plagosje tjetër me thikë, një muaj më parë në një terminal autobusësh.

Video nga News 24