Mëngjesi i kësaj të shtune nisi me një vendim të papritur në radhët e qeverisë. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen, pas më shumë se 1 viti në krye të ministrisë. Lajmin e publikoi në “Twitter”, kryeministri Edi Rama. Një vendim i papritur ky , i cili befasoi gjithë opinionin publik. Por, duket se ky vendim i papritur ka ndarë qytetarët. Disa e quajnë si një vendim të vonuar, ndërkohë të tjerë nuk e justifikojnë largimin e Xhafajt nga Ministria.
“Aty ku ka zë nuk është pa gjë. Ai e paska kuptuar vetë dhe shumë mirë ka bërë që ka dhënë dorëheqjen. Ama po më vjen dhe keq, pasi ka punuar mirë. Ai është munduar, por nuk i ka pasur të gjitha në dorë vetë.”
“Ka futur duart në zjarr Xhafaj, është i ngatërruar me ndonjë gjë. Dhe nëse është kështu, shumë mirë bëri që dha dorëheqjen. Dhe tek ky propozimi i ri i Ramës për Ministrinë e Brendshme, nuk kam shumë besim. Diçka fshihet këtu.”
“Xhafaj është njeri i kulturuar. Ne na vjen shumë keq që ai iku, sepse ishte ministri më i mirë.”
“Qafën le ta thyejë, mirë ka bërë që ka ikur. Le të vijë tjetri, pse me tapi e kanë atë vendin atje?! Bëri mirë që iku, e të ikin dhe të tjerë.”
“Të ikë dhe Rama”
Edhe pse ende nuk ka dalë një deklaratë për arsyet e largimit të Xhafajt, për qytetarët e thjeshtë gjithçka lidhet me dosjen “Babale”.
“Ai ministër i Brendshëm, kurse vëllai kriminel i dënuar, nuk kishte arsye përse të rrinte më. Nuk e bën detyrën, vjen tjetri. Mirëpo, edhe ai gjenerali që propozoi kryeministri, është njeriu i vetë. Sa i takon rrëzimit të qeverisë nuk e besoj, se zor se Rama e heq dorëheqjen. Edhe pse unë dua të ikë.”
“Nëse është për të vëllain ne na duket e padrejtë. Niveli i Fatmir Xhafajt nuk besohet se do mund të zëvendësohet nga askush.”
“Ai ishte njeri i mirë, por ndikoi shumë puna e vëllait në faktin që ai dha dorëheqjen. Unë e di që qeveria nuk bie. Por, kështu si u bë puna, më mirë ta japë dorëheqjen edhe Rama.”
“Xhafaj duhet të kishte ikur më parë, sepse vëllai i tij është trafikanti i gjithë jugut. Ka përgjegjësi morale sepse e ka vëlla, një nënë i ka bërë.” TIRANA TODAY