Kryeministri Edi Rama ka paraqitur për publikun një platformë të re, e cila sipas tij përfshin 472 aplikime për shërbime online.
Përmes një videoje të postuar në Facebook, Rama thekson se këto shërbime që deri dje krijonin radhë nëpër sportele do të mund të bëhen online, përmes celularit apo kompjuterit.
Ja edhe shpjegimet që kreu i qeverisë jep bashkangjitur me videon:
- Qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetërorë kur aplikojnë, po vetëm dokumente që janë individualë
- Të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen e aplikimit online, do të sigurohen për llogari të qytetarit, nga vetë punonjësi i sportelit përkatës
- Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin
- Ky proces transformues rrënjësor do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht rryshfetin
- Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në https://e-albania.al