Në tremujorin e dytë të këtij viti, karburantet u shtrenjtuan me 3.3%. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë. Vlera më e lartë u arrit në qershor, kur nafta dhe benzina u tregtuan me rritje 5.6%. Ndërkohë, sot një litër nafte blihet me 184 lekë.
Rekordi më i lartë i çmimit të naftës është arritur në vitin 2012, ku një litër kushtonte 190-200 lekë. Por, në atë kohë taksa e qarkullimit në vend ishte 17 lekë për litër, ndërsa aktualisht është 27 lekë për litër. Arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta të karburanteve, lidhet me taksat e larta që paguajmë për naftën. Ku mbi 60% e çmimit përbëhet nga taksat.
Kështu Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë, sa i takon çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë.
Çmim i shtrenjtë, cilësi e dobët
Por, për qytetarët më shumë se çmimi i lartë, problem bën cilësia. Ata thonë për Tirana Today cilësia e keqe ka ndikuar në prishjen e automjeteve.
“Cilësia e naftës është ibret, kam shkuar mbi 10 tek mekaniku, pasi kam probleme të shkaktuara nga karburanti. Do e çojnë 200 lekë me shumë siguri. Nafta është katastrofë, çmimi është edhe më keq.”
“Po t’i vësh re mbrapa makinat, ato bien era vajguri dhe vajë të djegur. Çmimi sigurisht që është rritur çdo herë, por cilësia vazhdon të jetë copë-copë. Po të hapësh makinat tona, lemerisësh. Kot është ai kolaudimi sepse të gjitha njësoj janë. Të kolaudojnë naftën dhe jo makinën.”
“Çmimi është ngritur shumë. E gjitha është një hajdutëri, pasi nga të gjitha krahët vjedhin.”
“Naftë është katastrofë. Nuk punon mirë makina, nxjerr tym. Shkojmë ta kalojmë te kolaudimi, nuk kalohen. Po nuk pate mik, nuk e kalon dot makinën. Sa të duash e ka dëmtuar. E shesin litrin 185 lekë, kanë tru apo s’kanë. E njëjta naftë ka qenë dhe më parë, se mos kanë rritur cilësinë. Vetëm kanë vjedhur. I hedhim naftë në Greqi e Maqedoni dhe të leverdis më shumë. Po marrin në qaf makinat e reja, mirë këto të vjetrat.”
“Çmimi është më shtrenjtë se në Evropë. Unë në 30 mijë lekë xhiro, do harxhoj 10 mijë lekë naftë, 4 mijë janë tatimet e shtetit në ditë. E çfarë më ngel mua?! Po shkojmë poshtë.” TIRANA TODAY