Mbërrijnë në Greqi vaksinat e para kundër Covid-19, të Pfizer dhe BioNTech. Sipas mediave greke, 9.750 dozat e para kanë mbërritur me kamion mbrëmjen e djeshme, në Promachonas.
Transportimi u bë me të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, ishte prezent gjatë hyrjes së vaksinave në kufirin e vendit. Shpërndarja e tyre në Athinë pritet të bëhet ditën e sotme dhe më 27 dhjetor do të nisë vaksinimi.
Në vendin fqinj do të mbërrijnë edhe 83,850 doza të tjera, ndërsa në muajt janar dhe shkurt pritet të merren përkatësisht 429,000 dhe 333,450 doza.
Transferimi i dozave në depo dhe prej andej në qendrat e vaksinimit do të bëhet në fshehtësi absolute dhe me mbrojtje shumë të fortë policore.