Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njofton se ka mbërritur nga jashtë, sasia prej 8 ton mjetesh të mbrojtjes personale për stafet mjekësore.
Manastirliu ka shpërndarë në Facebook një video nga aeroporti i Rinasit, ku ka mbërritur furnizimi i dytë, pas kanalit të hapur të transportit të siguruar nga qeveria turke.
“Jemi duke vijuar me transportin e të gjithë materialeve të mbrojtjes personale, të cilat deri tani janë 15 ton që kanë mbërritur në Shqipëri nëpërmjet linjës dhe korridorit të posaçëm të dedikuar nga Turqia për ardhjen e këtyre mallrave.
Janë 8 ton që kanë mbërritur sot, ndërkohë që pak ditë më parë kanë mbërritur 7 ton dhe priten që në total ky furnizim të jetë 26 ton, financim i qeverisë shqiptare. Janë të gjitha materiale të mbrojtjes personale duke filluar nga maskat, veshjet speciale, syzet, helmetat mbrojtëse dhe elemente të tjerë të cilat kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë të mjekëve dhe infermierëve”, tha Manastirliu.
Këto mjete janë blerë nga qeveria shqiptare, ndërsa qeveria turke ka lehtësuar transportin drejt vendit tonë.
Manastirliu theksoi se mjetet do të shpërndahen në të gjitha spitalet e vendit, për të garantuar mbrojtjen e personelit shëndetësor.