AA-Instant

VIDEO/ Kush është Camorra napolitane, mafia kryesore sot në Itali

               Publikuar në : 12:28 - 12/01/19 S.N

Camorra është një nga organizatat më të vjetra kriminale në Itali, që daton të paktën që nga shekulli XVIII. Ajo mendohet se e ka origjinën nga Spanja, për t’u transferuar më pas në Itali. Emri Camorra vjen nga një kombinim i “capo” (bosi) dhe “morra” (një lojë kumari napolitane). Kontrolli i shtëpive, ku luhej bixhozi ka qenë biznesi i parë i bandës.

Në qarkun e Sekondijanos në Napoli, ndodhet qendra e shpërndarjes së drogës nga Camorra, aktivitet që i garanton organizatës mbi 100 milionë euro në vit. Mes viteve 2004- 2007 në Napoli pati mbi 200 të vrarë rrugëve, si pasojë e një lufte të egër midis klaneve rivale të Camorra-s, që luftojnë për kontrollin e tregtisë së drogës. Me rritjen e tregtisë së drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale në zonën e Napolit, Camorra tani vlerësohet të ketë 4 herë më shumë anëtarë sesa mafia siçiliane, Cosa Nostra.

Vetëm 3 dekadat e fundit, Camorra ka vrarë mbi 160 njerëz të pafajshëm, të gjendur rastësisht në mesin e një përleshje me armë midis elementëve rivale të bandës. Ka dëshmi të shuma se organizata bën biznes edhe me terroristët e Lindjes së Mesme. Ashtu si mafia e Njut Jorkut dikur, ajo ka nën kontroll që nga vitet 1990 industrinë e menaxhimit të mbetjeve në Napoli, duke e shndërruar qytetin në një katastrofë shëndetësore dhe mjedisore. Camorra i kushton qeverisë italiane mbi 200 milionë euro në vit, nga të ardhurat e humbura përmes aktiviteteve të saj kriminale në portin e Napolit.

Kthehu