Kryesore

VIDEO/ Kongresi zgjodhi Durrësin, por ja pse Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë

               Publikuar në : 14:04 - 11/02/19 S.N

Tirana kremton 99-vjetorin e të qenit kryeqytet i Shqipërisë. Por shndërrimi i saj në kryeqendrën e botës shqiptare, ishte disi rastësor. Historiani i njohur Kristo Frashëri, ka pohuar se Kongresi i Lushnjës i janarit 1920, caktoi zyrtarisht Durrësin si kryeqytet.

Edhe pse kishte një popullsi prej vetëm 3 mijë banorësh, qyteti bregdetar ishte prefekturë. Ndërsa Tirana në atë kohë, ishte nënprefekturë me 12 mijë banorë, që varej nga Durrësi. Qeveria e re, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u nis drejt Durrësit.

Por qyteti ishte i pushtuar nga italianët, që nga Lufta e Parë Botërore, që sapo kishte përfunduar. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, kërkoi lejen e italianëve për të hyrë në qytet, por u refuzua. Për të shmangur përplasjen e armatosur, ai bashkë me pjesën tjetër të qeverisë u zhvendos në Tiranë, me idenë e një qëndrimi të përkohshëm.

Qeveria u vendos në sarajet e disa bejlerëve, ndërsa disa muaj më vonë nisi ndërtimi i godinave të para qeveritare. Kështu Tirana mbeti kryeqyteti i Shqipërisë. Sipas Frashërit, veç Durrësit, kandidatura të forta për kryeqytet ishin Vlora, Elbasani dhe Shkodra.

Në fund, edhe pse diktuar nga rrethanat e kohës, pozita gjeografike e Tiranës, në mes të Shqipërisë së kufijve të 1913-ës, u gjykua si më e përshtatshme./ Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT