Një i kërkuar për trafik kokaine, anëtar i fisit Çapja është arrestuar nga policia e Elbasanit.
Kështu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe FNSH-në, kanë kapur dhe ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet dhe ndalohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi Besnik ÇAPJA, (alias Besnik BYLYKU, Kliton PRIFTI) 40 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Elbasan.
Kapja e këtij shtetasi i cili mbahej nën vëzhgim nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Elbasan, u bë në një pikë lloto – sporti në rrugën “Rinia”, në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.
Ky shtetas më datë 28.11.2017, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, Itali, pasi:
Autoritetet Gjyqësore në Torino, Itali, me vendim nr. SIEP 431/2017, datë 01.06.2017 e kanë dënuar me 6 vjet e 4 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale të “Pjesëmarrjes në Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga nenet 110 të Kodit Penal Italian dhe neni 73 i ligjit 309/1990.
Gjatë periudhës 01.06.2011 deri në 16.11.2011, në Torino, Santena, ky shtetas ka qenë në cilësinë e anëtarit të organizatës kriminale me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të drogës, të llojit Kokainë.