Pasditen e sotme policia ka arrestuar gjyqtarin e Shkallës së Parë në Fieri Roland Hysi, i cili u denoncua pasi kërkonte favore seksuale dhe ryshfete.
Ai akuzohet për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike’. Po ashtu mbi gjyqtarin rëndon akuza ‘Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të drejtësisë’.
Rasti i Roland Hysit u bë publik mbrëmjen e djeshme në emisionin “Stop”. Në kamerën e fshehtë të realizuar nga emisioni “Stop” përfshihen disa gjyqtarë dhe psikologia Elona Meçani, e cila bën edhe rolin e sekseres.
Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkon seks një qytetareje për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Qytetarja detyrohet t’i jepë psikologes 500 euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.
Gjyqtari Hysi takohet me zonjën në fjalë në një lokal të Fierit. Ai merr 500 eurot dhe premtimin për të tjerat. Por “njeriu i drejtësisë” kërkon edhe pak ngrohtësi nga zonja, të cilës i ka shitur fëmijën e saj. Por kalvari nuk mbaron këtu. Zonjës iu desh të hapte një tjetër çështje gjyqësore për të marrë vajzën në Francë, ku jeton edhe vetë. Psikologia Elona Meçani i kërkon 500 euro të tjera për gjyqtarin tjetër, Taulant Banushi, në mënyrë që ky i fundit të mos zvarrisë seancat. Gjatë takimit ku jepet shuma, psikologia kërkon edhe pjesë për vete si dhe shumën e mbetur për gjyqtarin e parë.