AA-Instant

VIDEO/ E bllokuar nga dëbora, e sëmura dërgohet në spital me helikopter

               Publikuar në : 16:52 - 11/01/19 S.N

Një grua e sëmurë, e bllokuar nga dëbora në fshatin Zagore të Malësisë së Madhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Shkodrës.

Gruas së sëmurë i kanë ardhur në ndihmë Forcat e Armatosura, që e transportuan me helikopter.

Fillimisht helikopteri e ka ndalur 58-vjeçaren në stadiumin “Loro Boriçi” dhe nga aty, gruaja është dërguar drejt spitalit me një ambulancë. Pas dhënies së ndihmës së parë burimet spitalore bëjnë me dije se 58-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërhyrja është pasqyruar edhe në faqen e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila tha në një postim se një helikopter Cougar i Forcës Ajrore ka bërë të mundur transportimin.

“Një helikopter Cougar i Forcës Ajrore me në bord personel mjekësor të Spitalit Ushtarak, ka transportuar një 58-vjeçare të sëmurë nga fshati Vuç-Kurtaj i Malësisë së Madhe për në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që një 25-vjeçare nga Peshkopia e bërë nënë dje, po trasportohet po nga djemtë tanë të Farkës për në Tiranë.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë në krye të detyrës!”, shkruan Xhaçka.

Kthehu