Disa banorë të njësisë bashkiake Nr.1 në kryeqytet akuzojnë deputetin socialist, Robert Bitri, se po bën një shtesë ndërtese pa leje.
Njëri nga banorët e pallatit, i cili pretendon se është edhe pronari i truallit, ka folur për Fax News, duke u shprehur se vetë Bashkia e Tiranës e di që është pa leje, por që punimet vijojnë.
Sipas tij, shtesa po bëhet në katin e fundit e fundit të një pallati 7 katësh, në pronësi të Robert Bitrit.
“Unë jam pronar i truallit dhe gjithashtu banor këtu. Kam bërë një kërkesë tek IKMT e bashkisë qendrore, dhe më thanë se pas një muaj vjen përgjigja. Në të njëjtën kohë marr edhe policinë bashkiake, përkohësisht i ndalojnë punimet dhe sapo largohen policët, rifillojnë sërish. Këtë e kam bërë për tre herë me radhë. Ndërtesën po e bën Robert Bitri, ai është pronari. Kishte një javë ndërprerje të punimeve nuk e di për çfarë arsyeje, por që kanë nisur sërish. Po bëhet një shtesë në një pallat që është po i deputetit Robert Bitri. Ai po punon në fshehtësi. Ne do ta ndjekim këtë në rrugë gjyqësore duke e denoncuar së pari në Polici dhe në Prokurori gjithashtu. Punimet në ndërtesë kanë filluar prej rreth një muaji. Po ndërtohet një kat shtesë në një pallat 7 katësh që është në pronësi të deputetit. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje të formës së prerë zyrtare për denoncimet që kemi bërë”, tha qytetari.