Kryesore

Video/21 vjet pa Azem Hajdarin, a do zbardhë rihapja e dosjes të gjitha misteret e vrasjes?

               Publikuar në : 17:37 - 12/09/19 M. S

Mbrëmjen e 12 Shtatorit 1998, u vra në krah të selisë së PD, Azem Hajdari, lideri i lëvizjes studentore, që solli rënien e regjimit komunist. Kreu demokrat, Sali Berisha, akuzoi si përgjegjës ish-kryeministrin e kohës, Fatos Nanon dhe ish-shefin e SHIK-ut, Fatos Klosi. Gjyqi për këtë vrasje të bujshme shpalli fajtorë Fatmir Haklajn, Jaho Mulosmanin dhe vëllezërit Izet dhe Ismet Haxhia. Në vendimin e saj, prokuroria hodhi poshtë çdo motiv politik për vrasjen e Hajdarit.

Sipas saj, vrasja kishte ndodhur për motive të dobëta. Fatmir Haklaj u vra në një atentat pak muaj më vonë. Ndërkohë Izet haxhia, i dënuar në mungesë, ia ka dalë të rihapë çështjen ndaj tij. Ai mohon të ketë gisht në vrasjen e ish-deputetit, dhe akuzon për këtë ngjarje ish-kryeministrin Sali Berisha. Berisha u thirr nga prokuroria për të dëshmuar mbi ngjarjen, por refuzoi. Një dëshmitar kyç i asaj ngjarje është ish-truproja i Azemit, Zenel Neza. Ai mbeti i plagosur rëndë në atë atentat, dhe pak javë më vonë u largua nga Shqipëria. Haxhia, i arrestuar dhe ekstraduar nga Turqia kërkon dëshminë e 44 personave, mes tyre Fatos Nanos, Fatos Klosit, Jozefina Topallit, dhe shumë gazetarëve e politikanëve të kohës.

Një nga versionet, është se zanafilla e konfliktit mes fisit Haklajt dhe Hajdarit, ka qenë anti-mitingu që ata organizuan në Tropojë kundër tubimit të PD në qershorin e vitit 1997. Eleminimi i Azem Hajdarit, bart ende shumë pika të errëta. A do të mund të zbardhen ato, nga rihapja e çështjes së Izet Haxhisë? Ambasada Amerikane ka paralajmëruar se SPAK do të bëjë më në fund drejtësi për çështje të reja dhe të vjetra, ku janë të implikuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Mbetet të shohim cilat do jenë zhvillimet…

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT