Komisioni ad-hoc i vettingut, përzgjodhi sot me votë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Ata janë, Ardjan Hajdari, Ina Rama, Sokol Como, Natasha Mulaj, Luan Daci, Albana Shtylla, dhe Rezarta Shuetzh.
Kjo e fundit u zgjodh në raundin e dytë të votimit, pasi në fazën e parë doli në balotazh me kandidaten tjetër Etleva Mazrekaj.
Në seancën e votimit morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ndër ta Donald Lu e Romana Vlahutin.
Pas shortit tjetër me gogla dolën dhe dy fituesit për anëtarë zëvendësues në Kolegj. Zëvendësues i parë i këtij organi do të jetë Mimoza Tasi, ndërsa zëvendësues i dytë, do të jetë Etleva Paplekaj.
Procedurat e votimit u drejtuan nga deputetja Vasilika Hysi dhe sekretaria teknike.
Emrat e përzgjedhur pritet që brenda 10 ditësh, t’i kalojnë për miratim Kuvendit. Lista e kandidatëve votohet në bllok, dhe kërkon shumicë të cilësuar, 3/5 e votave të gjithë anëtarëve të parlamentit.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bashkë me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit dhe komisionerët publikë, përbëjnë tre institucionet që do të realizojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.