E hënë, 24 Janar, 2022
-0.5 C
Tirana

Vettingu i politikanëve, tani po

Nga: Preç Zogaj

Vettingu i politikanëve, njëra prej tri reformave kushtetuese të propozuara së fundi nga Partia Demokratike, është rimarrje e një propozimi të refuzuar pak vite më parë nga shumica socialiste dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Me një ndryshim thelbësor: në qofte se herën e parë selia blu parashikonte që palët politike kundërshtare t’ia bënin vettingun shoqjashoqes, kësaj radhe vettingu në fjalë i lihet në kompetencë SPAK-ut, institucionit që mishëron në ndërtim (akoma jo në produkt) premtimin e ndëshkueshmërisë në sferat e larta.

Ky është një ndryshim domethënës që e fut procesin në një hulli institucionale të arsyeshme, në respekt të ndarjes demokratike të pushteteve. Si i tillë, ai i hap rrugën pranimit të vettingut të politikanëve, qoftë nga partnerët ndërkombëtarë, qoftë nga shumica qeveritare.

Argumenti kryesor i kundërshtimit të vetingut herën e parë ka qenë fakti që SPAK ishte ngritur dhe detyra e tij kryesore ishte dhe është hetimi i politikanëve. Nga kjo pikëpamje, nisma për një kontroll të politikanëve nga politikanët shihej si shmangie, si dublim, madje edhe si mosnjohje e organeve të specializuara të drejtësisë së re. Thënë ndryshe, shihej si një nismë populiste për efekte propagandistike. Kundërshtimi kishte logjikë.

Qëllimi i mirë e tregon veten në fleksibilitetin e rrugëve për realizmin e tij. Fakti që nisma e re e PD-së tërhiqet nga muri ku ishte ndalur herën e parë dhe ia adreson SPAK-ut vettingun e politikanëve, tregon se kjo parti nuk e ka për të larë gojën apo për të marrë epërsi në rrafshin propagandistik, por kërkon përnjëmend ta bëjë dhe për ketë është e gatshme të ulet dhe dakordësohet për një projekt të përbashkët me Partinë Socialiste, duke konsideruar propozimet racionale të kësaj të fundit.

Nuk ka dyshim se përfshirja e SPAK në nismën e PD-së ka domethënie edhe më të madhe se kaq. Ka akoma një hezitim të SPAK për të hetuar akuza në adresë të politikanëve të nivelit të lartë e shumë të lartë. Është një hezitim në inercinë e drejtësisë së vjetër, por që reflekton edhe disa problematika të mprehta në ndërtimin e organeve të reja të drejtësisë së re. Hezitimi do të kapërcehet, ngritja e BKH-së do ta përshpejtojë daljen e SPAK në rolin ku e ka vendosur ligji dhe ku e sheh pritja popullore. Por, ndërkaq, ashtu sikurse SHBA vuri në lëvizje instrumentin e shpalljes non gratta të politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë, opozita dhe shumica në Shqipëri mund të paraprijë me nisma ligjore pa pritur që SPAK të marrë guximin të hetojë dhe akuzojë politikanë e peshq të mëdhenj. Pra, nuk shkon SPAK të politikanët, por shkojnë politikanët të SPAK-u, i dorëzohen politikanët SPAK-ut. Ky është kuptimin e vetingut të politikanëve sipas propozimit të PD-së. Ky lloj vettingu është tjetër gjë në raport me shkeljet dhe abuzimet që përbëjnë veprat penale dhe përfundojnë në Gjykatën Speciale. Ai ka të bëjë me filtrimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, duke ndaluar e përjashtuar ata që nuk justifikojnë pasurinë dhe kontaktet me individë me rekorde kriminale.

Nëse kjo ndodh, PD dhe Basha do të regjistrojnë një tjetër nismë ligjore të madhe në përpjekjen komplekse të Shqipërisë dhe partnerëve të saj amerikanë e europiane për ndarjen e politikës nga krimi. Nismë, e cila, për t’u bërë ligj, thërret në kauzë në një rol po aq të rëndësishëm, njëlloj si me Ligjin e Dekriminalizimit, shumicën e zotit Rama.

Nisma pritet të vendosë një vijë ndarëse të qartë midis atyre që nuk i tremben kontrollit të pasurisë e figurës dhe atyre që e shohin të përfunduar karrierën e tyre politike në përballjen me të. Natyrisht, me ketë ndarje nuk duhet të spekulohet për të bërë retorikë. Ka politikanë që nuk kanë frikë për vete e nuk u djeg miza nga vettingu, sikurse ka njerëz pa fund që nuk janë subjekte të këtij vettingu, por që janë skeptikë e kanë rezerva për vetingun në drejtësi ku përveç shumë vendimeve të drejta, ka pasur edhe subjektivizëm, tendenciozitet e mungesë profesionalizmi, gjë që jo në pak raste ka bërë të digjet bari i njomë me të thatin apo të kalojë bari i thatë me të njomin. Nuk mjafton që nisma të jetë e dobishme në parim, në vetvete. Është vetë ligji me nenet e tij që e bëjnë një nismë eficiente, të drejtë, të dobishme. Duhet, pra, një ligj i drejtë dhe i saktë që nuk lejon subjektivizëm tej një koeficienti të pranueshëm. Një ligj që i mbyll çdo shteg tendenciozitetit të atyre që gjykojnë. PD, sigurisht, i ka parasysh të gjitha këto e të tjera. Nisma e saj, siç e cek më lart, nuk mund të bëhet ligj pa dakordësinë e shumicës socialiste. Ndërhyrja në Kushtetutë kërkon minimumi 94 vota. Si nismëtare e vetingut të politikanëve dhe e reformës territoriale, PD i bie barra të ndërtojë një komunikim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës me shumicën socialiste për t’u ulur në tryezë me të, qoftë për marrëveshjen në parim, qoftë për draftimin e projektit. Gjuha operon në disa regjistra. Një komunikim i tillë për reforma ndërpartiake është plotësisht i mundur pa i hequr asgjë opozitarizmit të fortë dhe etik për çështjet e qeverisjes së përditshme, për ekonominë, rendin, shëndetësinë, arsimin e tjerë e tjerë. Por reformat e mëdha prevalojnë. Vettingu i politikanëve është nismë e një interesi kombëtar. /Panorama

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Sulm ajror në burgun e Jemenit, të paktën 70 të vrarë

Të paktën 70 njerëz u vranë në një sulm ajror në një burg, dhe të paktën tre fëmijë vdiqën në një bombardim të veçantë,...

Shtetet e Bashkuara pezullojnë 44 fluturime të linjave ajrore kineze

Qeveria e Shteteve të Bashkuara njoftoi të premten pezullimin e 44 fluturimeve ajrore të katër kompanive kineze nga Shtetet e Bashkuara drejt Kinës. Pezullimi...

Caktohet data për zgjedhjet në FSHF

FSHF u ka dhënë fund dilemave, pasi është caktuar data e zgjedhjeve për president. Federata Shqiptare e Futbollit, i ka dhënë fund dyshimeve rreth...

Kosova sërish vend i rrezikut të lartë për Gjermaninë

Varianti Omikron ka shtuar ndjeshëm shifrat e infektimeve në Kosovë. Nga dita e dielë (23.01; 00:00) Kosova futet sërish në listën e vendeve të...

Armët vdekjeprurëse amerikane mbërrijnë në Ukrainë

Rreth 90 ton "ndihma vdekjeprurëse" nga SHBA-ja kanë mbërritur në Ukrainë, mes tensioneve për grumbullimin e trupave ruse në kufi. Kjo ishte dërgesa e...