Prej disa ditësh, kryeministri Edi Rama ka sulmuar kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha duke e akuzuar se është përfshirë në hetimet ndaj UÇK-së, në kohën kur punonte për UNMIK.
Analisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi thotë se kemi të bëjmë me një situatë delikate që nuk mund të shfrytëzohet për luftën e brendshme politike.
Sipas tij, Rama po vepron njësoj si ish-ministri serb, Ivica Daçiç.
“Nuk i bën mirë Shqipërisë dhe as ambientit politik dhe as shqiptarëve në Shqipëri që kjo çështje të shfrytëzohet për luftën e brendshme politike.
Fillimisht duhet të largohemi nga ky etiketim i njerëzve sepse kemi të bëjmë me një situatë delikate, në të cilën a ka qenë kush i përfshirë si hulumtues apo përkthyes etj, nuk mund t’i vihet gishti pasi vihemi në të njëjtën situatë që ka hyrë Serbia. Ish-ministri i jashtëm Ivica Daçiç, para disa muajsh akuzonte serbët se kanë folur kundër kryerjes së krimeve në Serbi dhe kanë treguar varrezat masive.
Kosova për fat të mirë nuk e ka këtë dimension të krimit të organizuar çfarë ka pasur Serbia me varrezat masive, por nuk mund të hyjmë në të njëjtin diskurs të trajtimit të një çështje kaq delikate sa balllafaqimi me të kaluarën.”, tha Surroi në ‘RTV ORA’.
Surroi nënvizon se ballafaqimi me të kaluarën do të zbulojë dhe moment të pakëndshme por pas 20 vitesh këto duhet të shërbejnë më shumë si mësime historike sesa konfrontime.