Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se kur të vijë në qeveri nuk do të respektojë marrëveshjen e nënshkruar në 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Një kryeministër jo-legjitim si Hoti shkon atje dhe e qet nënshkrimin në nja marrëveshje që Kosovën e kthen në një subjekt jo-serioz të raporteve ndërkombtare. Kushtetuta thotë se Kosova anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Nënshkrimi i Hotit në marrëveshje e shkel Kushtetutën e Kosovës. Këtë fjalë timen dua ta përfundoj me dy konstatime. Që kjo është një marrëveshje shumë e dëmshme për Kosovën me tema që përpara i ka shtyrë Vuçiqi. Këto marrëveshje qeveria e ardhshme e VV-së nuk ndjen asnjë obligim që t’i qëndrojë prapa nënshkrimeve të kryeminsitrit jolegjitim Avdullah Hoti”, u shpreh Glauk Konjufca.
Më tej, ai tha se duhet rikthyet në fokus rrëzimi i qeverisë.
“Meqenëse këtë marrëveshje po e përkrah vetëm gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës atëherë është moment i mirë që ta rikthejmë mocionin e mosbesimit. Nëse kjo qeveri vazhdon me këtë avaz edhe në Bruksel, do të vijnë kompromise edhe më të dëshme”, tha ai.
Konjufca ka kërkuar votat e PDK-së së Veselit dhe AAK-së së Haradinajt për të rrëzuar qeverinë Hoti.
“Është koha që edhe PDK-ja dhe AAK-ja të reflektojnë pasi që vetëm nuk po pajtohen me këtë marrëveshje, që t’i bashkojmë nënshkrimet tona. Nëse iniciativës tonë i bashkohet AAK dhe PDK, atëherë mendoj që votat janë të mjaftueshme që kjo qeveri të dërgohet në shtëpi”, tha Konjufca.