Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se dialogu me Serbinë do të jetë përfundimtar, duke i krijuar shtetit më të ri të Evropës një vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Por, theksoi Veseli, Mitrovicën nuk do e shesim, ndërsa do të respektohet Kushtetuta e Kosovës.
“Procesi i dialogut do të jetë përfundimtar, nga i cili Kosova do të marrë ulësen e OKB-së. Ne Mitrovicën nuk e kemi për ta shitur, as për ta blerë, e as me mbrojt vet. Ne duhet të respektojmë kushtetutën e Kosovës. Vendimmarrja do të jetë në institucionet e Kosovës”, tha Veseli.
Ai ripërsëriti faktin se orientimi final i Kosovës është vetëm perëndimi duke pohuar se nuk do të lejohet të ftohen marrëdhëniet në asnjë rrethanë me SHBA:
“Ne nuk do të lejojmë ftohje me SHBA-në. Në të njëjtën kohë është ekonomia e lirë e tregut dhe inovacionit e ndërmarrës e cila do të zhvillohet në vend. Kosova është e të gjithëve”.