Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shprehet se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, demokracia është në një moment vendimtar, siç është edhe e ardhmja e vendit.
Statusi
“Një vendim i pritur nga Gjykata Kushtetuese, i cili në bazë ka vitin 2014 kur VLAN tentoi ta deformonte vullnetin qytetar.
Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese.
LVV tashmë është brenda skenarit të saj të paramenduar. Dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë duke manipuluar me emocionin qytetar.
Tani, demokracia e Kosovës është në momente vendimtare, ashtu siç është edhe e ardhmja e shtetit”.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hotit nga LDK-ja si mandatar për formimin e qeverisë së re, është në përputhje me Kushtetutën. Dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie, nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka cilësuar të padrejtë dhe të paparanueshëm vendimin. Duke e cilësuar vendimin e Kushtetueses përtej imagjinatës, Albin Kurti thekson se do të vijojë betejën, dhe se ditët në vijim do të bëjë publik hapat që do të ndjekë.