Numri dy i PS-së, Taulant Balla, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për vendimin e Gjykatës së Durrësit, e cila nuk i dha mandatin Valbona Sakos.
Kujtojmë këtu faktin se në Durrës, ku Partia Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit fitoi për herë të katërt për drejtimin e këtij qyteti, gjykata refuzoi t’i japë vërtetimin e mandatit kryetares së zgjedhur të Bashkisë, Valbona Sakos, dhe për rrjedhojë ka rrëzuar zgjedhjet në qytetin bregdetar.
Në komentin e radhës, Balla e ka cilësuar si një vendim absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre që nuk dinë më çfarë bëjnë.
Statusi
Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul te një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se deshperuar per kaos e pasiguri, nuk dinë më cfarë bëjnë. Pavarësisht kesaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon.
Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri, sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme.
Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor.