Vendimi për fletën e votimit, Kryemadhi: PS ka kandidatë që nuk e përfaqësojnë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se votuesi që do të votojë për LSI-në do e ketë shumë të lehtë të votojë në fletën e votimit.

E ftuar në emisionin ‘Debat dhe Transparencë’, Kryemadhi ka thënë se fleta e votimit nuk krijon konfuzione për qytetarët po për kandidatët për deputet.

Ajo tha se fleta me numra dhe jo me emra kandidatësh u kërkua nga Partia Socialiste për shkak të kandidatëve të saj pa identitet dhe që nuk e përfaqësojnë atë.

‘Sa të lehtë do ta ketë votuesi që ta çojë votën atje ku do?

Ne si LSI me thënë të drejtën do ta kemi shumë të lehtë. Edhe për qytetarët.

Sa konfuzion krijon te qytetarët?

Nuk krijon shumë konfuzion. Krijon konfuzion për kandidatët. Njerëzit nuk janë numra për LSI-në, njerëzit janë emra. Duhet të ishte me listë shumë emërore, gjë të cilën edhe vetë kryekomisioneri e ka pasur këtë bindje se duhet të ishte me emra, por KAS-i vendosi që të ishte me numra. Në Elbasan përshembull njerëzit do të priren për të gjetur numrat dhe jo emrin. Kur ndërkohë në Tiranë çështja e emrave është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse vetë Partia Socialiste me emrat që ka në listën e saj nuk e përfaqësojnë atë, kështu që normalisht vetë PS-së i ka interesuar që ti ketë me numra.

Po çështjen e pavlefshmërisë së votës sa mund ta rrisë kjo?

Nuk e rrit, sepse vetë zinxhiri i gjatë i fletës së votimit, unë e kam një format të fletës së votimit për Tiranën, është e qartë, është e mundur. Ne e kemi testuar me të gjitha grupmoshat dhe bëhet e mundur shikueshmëria dhe votimi. Duke qenë se fleta e votimit do të ketë numrin 6 votë të vlefshme, pra kur voton për subjektin edhe po nuk votove kandidatin fleta është e vlefshme, por edhe kur voton vetëm kandidatin dhe jo subjektin vota përsëri është e vlefshme. Por vetë vota për subjektin është shumë e dukshme, gjë e cila favorizon dhe i jep prioritet subjektit’.