Qeveria duket e vendosur të ndalojë importin e makinave të përdorura. E parashikuar të fillonte në 1 janar të këtij viti, duket se strategjia e re do të nisë brenda qershorit. Kush do të blejë një makinë, duhet të bëjë llogaritë mirë këto muaj që kanë mbetur. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ishte i qartë dje në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në “News 24”.
Makinat e prodhuara para 10 vitesh nuk do të importohen më. Doganat nuk do të lejojnë më kalimin në vend të këtyre mjeteve.
“Do ndalojmë importimin e makinave, që janë më të vjetra se 10 vite nga data e prodhimit. Makinat e prodhuara para vitit 2009 nuk do lejohen të hyjnë në Shqipëri. Kjo bëhet për pastrimin e ajrit dhe reduktimin e ajrit të ndotur. Një makinë e vjetër harxhon 4 herë më shumë se një makinë e re dhe kjo nuk është në favor të qytetarëve, përveç faktit që ndotin dhe ambientin”, tha ministri Klosi.
Në hyrje të emisionin, gazetarët e “Studio e Hapur” dhanë edhe shifrat e frikshme të vdekjeve nga ndotja e mjedisit. 166 persona për 100 mijë banorë në Shqipëri, e gjejnë vdekjen nga ndotja e mjedisit, sipas të dhënave të Mbikëqyrjes Globale të Shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë. Projektligji parashikon që të lejohen të importohen vetëm mjetet motorike, që plotësojnë standardet “Euro 5” të shkarkimeve në ajër; dhe mjetet ekzistuese, shkarkimet e të cilave u përkasin standardeve Euro 1 (viti i prodhimit 1993-1994) dhe “Euro 2” (viti i prodhimit 1997), duhet të marrin masat për arritjen e standardit “Euro 3”. Në pikat e kolaudimit janë të shumta makinat, që nuk kalojnë testin për shkak të ndotjes së ambientit. Sipas të dhënave, rreth 60% e ndotjes së ajrit vjen nga gazrat e makinave. Ndërkohë që mosha mesatare e rreth 600 mijë automjeteve është nga 15 në 20 vite.
ÇFARË PARASHIKON DRAFTI
Drafti i qeverisë parashikohet të ishte në fuqi tashmë, por për arsye akoma të paqarta është shtyrë për këtë 6 mujor. Dokumenti parashikon se do të lejohet të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorike të kategorisë M dhe N, të reja dhe të përdorura, që plotësojnë standardet “Euro 5” të shkarkimeve në ajër”.
Në kategorinë e makinave që plotë- sojnë standardin “Euro 5” përfshihen makinat e prodhuara pas vitit 2099. Sipas Ministrisë, hartimi i këtij drafti ka si qëllim uljen e nivelit të ndotjes nga makinat e vjetra. “Qëllimi i këtij vendimi është të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin nga shkarkimet e ndotësve të gaztë prej mjeteve motorike, nëpërmjet përcaktimit të kushteve të importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe vendosjes së limiteve të shkarkimeve për këta ndotës”, thuhet në projektvendim.
SI DO NDALOHEN
Në draft përcaktohet që do të jetë administrata doganore, që do të kontrollojë importin e makinave dhe në rast se ato nuk plotësojnë standardin “Euro 5”, do të ndalohen të importohen. Nga doganat do të kontrollohen dokumentacioni i mjetit, duke përfshirë specifikat teknike të tipit të mjetit.
Në rastin kur kontrolli doganor nuk mund të përcaktojë nëse mjeti është në përputhje me standardet “Euro 5”, vlerësimi do të kryhet nga qendrat e kolaudimit.
“Ngarkohen autoritetet doganore të kontrollojnë dhe të ndalojnë importin e mjeteve motorike, që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj. Kontrolli doganor do të përfshijë ekzaminimin e dokumentacionit të mjetit motorik dhe krahasimin e automjetit dhe të dokumenteve, që e shoqërojnë me specifikat teknike për këtë tip të veçantë të automjetit. Në rastin kur kontrolli doganor nuk mund të përcaktojë nëse mjeti është në përputhje me standardet ‘Euro 5’, vlerësimi kryhet nga qendrat e kontrollit teknik (QKT) të miratuara nga Ministria përgjegjëse për Transportin”, thuhet në relacionin e projektvendimit./Panorama