Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndtur vendimin e Parlamentit të Holandës për mbajtjen sa më parë të Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Sipas Metës, është e domosdoshme plotësimi i të gjitha kushteve gjatë këtij procesi, pasi do të përcaktohet koha kur do të finalizohet anëtarësimi në BE.
”E përshëndes vendimin e Parlamentit holandez për miratimin e kuadrit negociator, e më pas, mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare edhe me Shqipërinë.
Plotësimi i të gjitha kushteve do të jetë kërkesa konstante, që do të na shoqërojë këtë proces, nga nisja deri në fund, dhe do të jetë përcaktues për kohën kur do të finalizohet anëtarësimi.
Duke uruar, që më 22 qershor Këshilli të vendosë pozitivisht për nisjen reale të negociatave, të ruajmë fokusin tek plotësimi sa më parë i të gjitha kushteve.’’, shkruan Meta në rrjetin social, Facebook.
Parlamenti i Holandës ka dhënë sot dritën jeshile për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare, që do t’i hapë zyrtarisht rrugë Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Parlamenti është mbledhur sot dhe për rreth dy orë ka diskutuar këtë çështje.
Ministria e Jashtme e Holandës bën me dije se sot, shumica në Parlament ka rënë dakord që Konferenca e Parë Ndër-Qeveritare më Shqipërinë të mbahet sa më parë.