Pas dy ditësh diskutimi në kuadër të dialogut në Bruksel është konkretizuar marrëveshja Kosovë-Serbi, për targat e automjeteve të cilat hyjnë në territorin e Kosovës. Në marrëveshje theksohet se Njësitë Speciale të Policisë të vendosura në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat duke filluar nga 2 tetori, nga 08:00 e mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë dhe Bërnjak para fillimit të largimit të të dyja palëve, dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të mbajtur një ambient të sigurtë dhe garantuar lirinë e lëvizjes.
Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës ku popullsia është shumicë serbe, u bllokuan nga banorët lokalë që kundërshtuan vendimin për reciprocitet. Por i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha nga Brukseli se është arritur marrëveshje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës. Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe.