Bota

Vendimi: administrata Trump shkeli ligjin duke bllokuar ndihmën për Ukrainën


               Publikuar në : 20:53 - 16/01/20 M D

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkelur ligjin vitin e kaluar, duke penguar përkohësisht 391 milionë dollarë ndihmë ushtarake të miratuar nga Kongresi për Ukrainën, ndërsa i bënte presion Kievit të niste hetimet për të përfituar politikisht.

Në këtë përfundim ka dalë të enjten një agjenci mbikëqyrëse e veprimtarisë së qeverisë federale, një vendim që përbën thelbin e procesit që synon shkarkimin presidentit amerikan.

Zoti Trump e liroi ndihmën që Ukraina do ta përdorte për të mbështetur përpjekjet e saj kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit në muajin shtator, pasi e bllokoi atë për 55 ditë edhe pse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy nuk nisi hetime ndaj ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden.

Joe Biden është një nga kundërshtarët kryesorë të zotit Trump për zgjedhjet e 2020-s.

Pas një hetimi të kryer nga zyra e Kongresit për Kontrollin e Veprimtarisë së Qeverisë Federale ajo doli në përfundimin se “zbatimi me besnikëri i ligjit nuk e lejon presidentin të zëvendësojë përparësitë e politikave të tij me ato që ka miratuar Kongresi”.

Aty thuhej se Agjencia e Buxhetit e kontrolluar nga Trump kishte bllokuar lëshimin e parave “për arsye politikash”, gjë që nuk është e lejueshme sipas ligjit amerikan.

Vendimi i agjencisë amerikane u njoftua më pak se dy orë përpara fillimit zyrtarisht të procesit të gjykimit në Senat të Presidentit Trump.

Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjes së dyshuar për të nxitur zotin Zelenskiy të nisë hetimet ndaj zotit Biden dhe djalit të tij ndërsa mbante të bllokuar ndihmën ushtarake si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Në kushtet kur republikanët kanë shumicën në Senat, 53 vende nga 100 gjithsej, është pothuajse e sigurt se ai do të lirohet nga akuzat.

Shkarkimi i presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve të Senatit, shkruan “Voa”.

Disa republikanë e kanë kritikuar kërkesën e zotit Trump për të hetuar zotin Biden, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar largimin e tij nga detyra ndërsa ka mbetur më pak se një vit nga gara e radhës presidenciale.


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT
Këtë e pëlqejnë %d blogues: