Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetit, njëlloj siç veproi edhe SHBA.
OBSH ka paralajmëruar vendet e Amerikës Latine që të mos lehtësojnë ende masat kufizuese, pa u ngadalësuar ende përhapja e koronavirusit në rajon.
“Ashtu si Shtetet e Bashkuara u larguan nga OBSH, ne po e konsiderojmë një veprim të tillë në të ardhmen. Ose OBSH punon pa paragjykime ideologjike, ose edhe ne po largohemi gjithashtu. Ne nuk kemi nevojë që disa të huaj të japin mendimet e tyre për çështjet shëndetësore në Brazil”, tha ai në një deklaratë për mediat.
Edhe pse Brazili është për momentin vendi i dytë pas SHBA-ve me numrin më të lartë të infektuarve, Bolsonaro vijon të jetë pro heqjes së shpejtë të kufizimeve. Sipas tij, kostot ekonomike në këtë rast tejkalojnë rreziqet e shëndetit publik.
Amerika Latine regjistron më shumë se 1,1 milionë persona të infektuar, mbi 677 mijë prej të cilëve vetëm në Brazil.