Nga: Andrew Pollard “The Conversation”
Java Botërore e Imunizimit është zakonisht një shans për ata prej nesh që studiojnë dhe bëjnë kërkime mbi vaksinat e reja, për ta përforcuar mesazhin mbi rëndësinë e tyre madhore në shpëtimin e jetës së njerëzve.
Nga kolla e mirë tek poliomieliti, nga fruthi te meningjiti, vaksinat kanë shpëtuar në heshtje miliona jetë njerëzish, çdo vit, dhe për dekada me radhë. Zakonisht, askush nuk e vë re apo kujtohet për këtë gjë. Gjithsesi, ky vit është ndryshe. Vitin e fundit ne kemi dëgjuar shumë për shkencën e shëndetit publik, nga mënyra se si shfaqen dhe përhapen sëmundjet, deri tek mënyra se si zhvillohen, provohen dhe monitorohen terapi të reja me ilaçe – përfshirë vaksinat – pas sigurimit dhe ndikimit pas përhapjes së tyre.
Njerëzit janë në shumicë të vetëdijshëm se vaksinat kundër Covid-19 po shpëtojnë jetë, qindra mijëra në të gjithë botën. Normalisht, unë do të doja t’i bashkohesha gëzimit për këtë ndërgjegjësimi të rritur ndaj rëndësisë që ka imunizimi.
Por, pavarësisht suksesit tonë në zhvillimin e shpejtë të vaksinave anti-Covid, ne duhet që të përballemi me një të vërtetë të hidhur:në nivel global, nuk ka aktualisht doza të mjaftueshme për të gjithë njerëzit. Ndërkohë, edhe ato që janë në dispozicion nuk po shpërndahen me shpejtësinë e duhur në të gjithë botën.
Mbi 1 miliardë doza janë administruar brenda pak muajsh, por ende më shumë se 90 për qind e popullsisë së botës është e pambrojtur. Këtë javë, unë kam parë me tmerr mbi 2 milionë raste të reja të koronavirusit në Indi, me më shumë se 20.000 vdekje të dokumentuara nga kjo sëmundje, një shifër që mund ta nënvlerësojë numrin e vërtetë.
Në Brazil, ka pasur mbi 400.000 raste të reja dhe afro 17.000 të vdekur. Në Evropë mbi 1 milionë raste dhe mbi 20.000 të vdekur. Shifrat janë kaq të larta, sa është gati e pamundur t’i injorosh. Ndërsa ne në Britani po konsiderojmë daljen nga bllokimi, në shumë pjesë të botës pandemia vazhdon.
Rastet e reja kanë rënë në nivele të ulëta në Britani, por në të gjithë botën ato po rriten gjithnjë e më shumë çdo javë që kalon. Për pjesën më të madhe të njerëzimit, kjo do të thotë se nuk ka më kohë për të humbur. Ne po shohim sisteme shëndetësore të mbingarkuara në Indi, ashtu si edhe në Brazil.
Unë shoh përditë fotot dhe videot e lajmeve mbi kolegët e mi mjekë në Indi, dhe kam frikë për ta se çfarë mund të bëjnë kur u mbaron oksigjeni për pacientët e sëmurë, nga të cilët jo pak disa vdesin që në pragun e spitalit. Ne nuk duhet të rrimë duarkryq.
Ndërsa kemi arritur në një pikë ku shumë vende me të ardhura të larta kanë vaksinuar segmentet më të rrezikuara në popullatat e tyre, ne kemi detyrimin moral të sigurojmë shpërndarjen e vaksinave në vendet e tjera në nevojë, në mënyrë që më të prekshmit në të gjitha shoqëritë e botës të mund të vaksinohen pikërisht tani.
Ne nuk mund ta kthejmë nesër kokën pas,dhe ta dimë se kishim fuqinë të bënim më shumë sot dhe nuk e bëmë atë. Për disa qeveri në të gjithë botën që kanë fuqinë të ndajnë vaksina – të tilla si SHBA-ja dhe Britani, të cilët janë në rrugën e duhur për të arritur nivele të larta të vaksinimit dhe kanë porositur qindra miliona doza të mëtejshme – argumenti moral për të bërë donacione ndërkombëtare mund të të jetë i vështirë.
Është e drejtë që këto qeveri janë kryesisht përgjegjëse për popullsinë e tyre. Gjithsesi, shpërndarja e vaksinave është thelbësore për interesin e vet kombeve tona. Kjo është e nevojshme për sigurinë tonë shëndetësore, për të parandaluar përhapjen dhe shfaqjen e varianteve të reja, të cilat kanë më shumë të ngjarë të lindin kur infeksionet dalin jashtë kontrollit, pasi koronavirusi mund të pësojë mutacione kur riprodhohet.
Shtimi i vaksinimeve në mbarë botën, do ta ndihmojë gjithashtu ekonominë tonë duke e hapur tregtinë dhe do të lejojë të shpërfaqin talentin e tyre ata politikanë që aspirojnë të jenë aktorë globalë. Dhe ne nuk duhet të shqetësohemi vetëm për të sotmen.
Sistemet shëndetësore të mbingarkuara, nuk janë në gjendje të ofrojnë shërbime normale, gjë që do të thotë se shërbimet kryesore, siç janë vaksinimet e fëmijëve, janë dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme në shumë pjesë të botës. Vitin e kaluar kishte më shumë vdekje nga fruthi në të gjithë botën se sa në çdo kohë në 20 vitet e fundit:mbi 200.000, nga një prej shkaqeve më të parandalueshme të vdekshmërisë së fëmijëve.
Po, përpjekja shkencore globale në zhvillimin e vaksinave është befasuese, por nuk duhet të jemi të vetëkënaqur. Pandemia po vazhdon që të përhapet,dhe shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë të mbrojtur, sidomos në vendet ku situata aktualisht është duke u përshkallëzuar. Ne duhet urgjentisht t’u çojmë vaksina këtyre njerëzve, për t’i mbrojtur ata, sistemet globale të shëndetit dhe veten tonë.
Burimi i lajmit: https://theconversation.com/reality-bites-rudds-new-productivity-game-plan-16011
Përshtatur nga TIRANA TODAY