Familjarët e tre kushërinjve, Alban, Ernis dhe Arbër Lika kanë shpërthyer ndaj medies, teksa pretendojnë se kjo e fundit po i bën kriminelë.
Kushërinjtë Lika kanë dalë në seancë gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Gjykata caktoi ‘arrest me burg’ për Alban dhe Ernis Likën, si dhe ‘arrest shtëpiak’ për Arbër Likën.
Ata kanë qëlluar me armë zjarri në qytetin e Laçit, ndërsa dyshohet se një nga plumbat mund të ketë shkaktuar vdekjen e 16-vjeçarit Klejdi Gjeta.
Ky i fundit, natën e ndërrimit të viteve, hipi në tarracën e shtëpisë, ndërsa u gjet më vonë nga familjarët me një plumb në kokë, në Kurbin në të njëjtën lagje ku kushërinjtë Lika qëlluan me armë.
Policia ndaloi më 2 janar tre kushërinjtë, të cilët kanë pranuar se kanë qëlluar me armë zjarri, por nuk kanë treguar vendndodhjen e armës.
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kurbin kanë qenë të pranishëm familjarët e tre kushërinjve Lika, të cilët kanë reaguar për situatën e krijuar, duke akuzuar mediat dhe policinë se po tentojnë të manipulojnë publikun, pasi dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën:
“Po i bëni djemtë padrejtësisht kriminelë, mediat dhe policia po manipulojnë”, thanë ata.