Adolf Hitleri hipnotizoi miliona gjermanë me karizmën e tij. Ata e besuan se kishin gjetur tek Fyhreri njeriun e duhur, që do t’i rikthente Gjermanisë shkëlqimin e dikurshëm. Shumë prej nazistëve në radhët e Vermahtit, ushtrisë gjermane, ishin aq të verbër në fanatizimin e tyre, sa që i qëndruan Hitlerit besnikë deri në fund.
Por disa prej tyre, më të shtrenjtë kishin Gjermaninë dhe jo Fyhrerin. Kur panë se çfarë disfate rrezikonte vendi, ata bënë një përpjekje të guximshme për të vrarë udhëheqësin e tyre, dhe tentuar arritjen e një marrëveshje paqeje me aleatet, para se të ishte tepër vonë. Njëri prej tyre, ishte koloneli Klaus von Shtaufenberg.
Me prejardhje nga një familje aristokrate gjermane, ai lindi në vitin 1907 në kështjellën e familjes në rajonin e Shvabisë, në jug-perëndim të Gjermanisë. Në përputhje me zakonin e familjes, ai iu bashkua radhëve të ushtrisë në vitin 1926, duke marrë gradën e oficerit në vitin 1930.
Ashtu si oficerët e tjerë tradicionalë gjermane, Shtaufenberg e pa fillimisht me shqetësim ardhjen në pushtet të nazistëve, për shkak se këta të fundit qenë inferiorë nga pikëpamja sociale, si dhe u mungonte disiplina dhe autoriteti natyral, që e karakterizon aristokracinë.
Por kur Hitleri erdhi në pushtet, ai u betua për besnikëri dhe bindje ndaj Fyhrerit, çka kërkohej nga të gjithë pjesëtarët e forcave të armatosura gjermane, duke premtuar të rrezikonte edhe jetën e tij në mbrojtje të udhëheqësit nazist. Ai shërbeu me entuziazëm në pushtimin e Polonisë në vitin 1939, duke besuar se polakët ishin një “kope” që duhej të kolonizohej nga Gjermania.
Ai kontribuoi edhe në pushtimin e Francës në vitin 1940, dhe njëherazi u impresionua nga mendjemprehtësia ushtarake e Hitlerit. Por, po aq edhe u alarmua nga ambiciet e tij në dukje të pafundme.
Por egërsia e pushtimit të Bashkimit Sovjetik, e shoqëruar me ekzekutimet masive të hebrenjve, rusëve dhe ukrainasve, e neveritën Shtaufenbergun. Nga viti 1942, ndjesia në rritje se Hitleri ishte duke e çuar Gjermaninë drejt greminës e bëri një kundërshtar të vendosur të tij.
Në vitin 1943 u plagos rëndë në Afrikën e Veriut, gjatë një bombardimi nga forcat aleate. Humbi 2 gishtat e dorës së majtë, gjithë dorën e tij të djathtë dhe syrin e majtë. Megjithatë, vendosi që të mos qëndrojë duarkryq. Kur u shërua, Shtaufenberg emërohet në një post në Ushtrinë Rezervë Gjermane, ku gjenerali Fridrih Olbriht kishte hartuar tashmë një plan për të përdorur forcat rezerviste në rastin e një grushti shteti kundër Hitlerit.
Në qendër të planit ishte “Operacioni Valkirie”, që u jepte komandantëve ushtarakë autoritet mbi të gjithë të tjerët, duke përfshirë edhe Gestapon dhe SS, në rastin e një kryengritjeje të brendshme. Valkirie u miratua në fakt edhe nga Hitleri, për shkak se kjo do t’i lejonte ushtrisë të reagonte në mënyrë efektive, kundër një revolte të mundshme nga ana e punëtorëve të huaj.
Por Olbriht dhe komplotistët e tjerë, parashikonin që në rastin e vrasjes së Hitlerit, konfuzioni që do të krijohej, mund të përdorej si një pretekst për të vënë në veprim “Operacionin Valkirie”, dhe për t’i hapur rrugë ushtrisë që të përmbyste regjimin nazist. Komplotistët vendosën ta vrasin Hitlerin përmes një shpërthimi në shtabin e tij ushtarak në Prusinë Lindore, i njohur ndryshe si ”Strofulla e Ujkut”.
Bombën do ta vendoste pranë Fyhrerit vetë Shtaufenberg, që për shkak të autoritetit që kishte merrte pjesë rregullisht në mbledhjet e shtabit. 20 korriku i 1944-ës, ishte një ditë tmerrësisht e nxehtë. Pak pas mesditës në një nga dhomat e konferencave, me dritaret e hapura me shpresën e ndonjë flladi të freskët, 21 oficerë, 2 stenografë dhe vetë Fyhreri u ulën në një tavolinë të gjatë dhe të rëndë prej lisi, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.
Lajmet nuk qenë aspak të mira. Trupat ruse, që kishin përparuar përgjatë Frontin Lindor, ndodheshin pak më shumë se 96 km larg nga ”Strofulla e Ujkut”. Në perëndim, aleatët kishin zbarkuar në plazhet e Normandisë që kur nisi zbarkimi më qershor, duke ia dalë të krijonin të shumëpriturin frontin e dytë.
Ndërkaq në Gjermani, qytetet po bombardoheshin në mënyrë të pamëshirshme, ditën nga forcat ajrore amerikane, dhe natën nga Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë së Madhe. Ndonëse askush nuk kishte të ngjarë t’ia thoshte Hitlerit, humbja e Gjermanisë tashmë po dukej e pashmangshme, edhe nëse ajo ishte ende shumë muaj larg.
Kolonel Shtaufenberg, mbërriti me vonesë në atë takim pashmangshmërisht të tensionuar. Por ushtaraku i spikatur dhe i besuar, zuri vend më pak se 2 metra larg në të djathtë të Hitlerit, duke e vendosur çantën e tij pranë tabelës shpjeguese të mbledhjeve. Më pas, duke këmbëngulur se kishte nevojë të kryente një telefonatë urgjente me Berlinin, ai doli befas nga dhoma.
Shtatë minuta më vonë, çanta që ai kishte lënë aty shpërtheu, shkatërroi tërësisht tryezën, duke përhapur flakë nëpër dhomë, dhe shembur pjesë të tavanit. Tre oficerë dhe 1 stenograf u plagosën për vdekje. Disa të tjerë pësuan tronditje të forta, ndërsa shumica e njerëzve që gjendeshin përreth tavolinës së mbledhjeve, u gjendën brenda pak çastesh jashtë dhomës të mbushur me tym në një gjendje shoku.
Hitleri ishte në mesin e të mbijetuarve. Ai kishte djegie në flokë, krahun dhe këmbën e djathtë, ndërsa po kullonte gjak. Rrobat e tij ishin bërë copë e çikë, dhe forca e shpërthimit e kishte flakur me forcë nga karrigia ku qëndronte, ndërsa të pasmet i ishin bërë njëlloj si të një majmuni, do të shprehej më vonë me shaka.
Por bomba nuk e kishte vrarë, dhe ai u largua nga salla e konferencave i vendosur të zbulonte dhe ndëshkonte të gjithë personat e përfshirë në komplotin për vrasjen e tij të mbetur në tentativë. Pas shpërthimit, Shtaufenbergu u largua me shpejtësi nga “Strofulla e Ujkut”.
Zhurma e shpërthimit e bindi se Fyhreri ishte vrarë. Gjatë fluturimit 3-orësh drejt Berlinit, ai besonte se “Operacioni Valkirie” do të vazhdonte. Sapo mbërriti në zyrat e Ushtrisë Rezerviste në Bendlerblock, nisën të qarkullojnë zërat se Fyhreri kishte mbijetuar. Këmbëngulja e Shtaufenbergut se Hitleri kishte vdekur, dhe se për këtë arsye plani duhet të vazhdonte, u mbështet nga disa dhe kundërshtua nga të tjerët, ndërsa shpërthyen përleshjet.
Në momentet e fundit, gjenerali From, që kishte qenë në dijeni të komplotit, mori kontrollin e situatës dhe u përpoq të pastrojë emrin e tij, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të Shtaufenbergut dhe 3 komplotistëve të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit të 21 korrikut 1944, ata u qëlluan në oborrin e Bendlerblock. Fjalët e tij të fundit ishin:“Rroftë Gjermania jonë e shenjtë!”. Gjatë ditëve që pasuan, u zbuluan dhe ekzekutuan qindra komplotistë të tjerë. Edhe vëllai i Shtaufenbergut, Bertoldi, që kishte marrë pjesë në atë komplot u var. Ekzekutimet filmoheshin dhe shiheshin në darkë nga Hitleri.
Vuajtjet e familjes Shtaufenberg nuk përfunduan me vdekjen e Klausit. Gruaja e tij në atë kohë shtatzënë, Nina, u arrestua nga Gestapo dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Ravensbryk. Fëmijët e tij u dërguan në një jetimore. Familja u ribashkua pas luftës dhe Nina nuk u rimartua kurrë.
Djali i Klausit, Bertoldi, që mori emrin e xhaxhait të tij, kujton se kur mësoi se babai i tij përgatiti bombën për të vrarë Hitlerin, e pyeti nënën e tij “Si mundi ta bënte ai këtë?”’. Dhe ajo tha:”Ai besonte se duhej ta bënte për Gjermaninë”. Bertoldi shtoi:”Për mua, nuk ka dyshim se ai komplot, e ruajti sadopak nderin e Gjermanisë!”.
Po pse dështoi atentati, që rrezikoi më seriozisht nga gjithë të tjerët jetën e Hitlerit. Për disa arsye. Së pari për shkak të gjendjes jo të mirë fizike të Shtaufenbergut. Ai u stërvit me qindra herë për veprimet që duhej të kryente. Por aktivizimi i bombës me tre gishtat e tij të mbetur në njërën dorë nga plagosja e rëndë, ishte një sfidë e madhe.
Ndërkohë, atë ditë shumë gjëra të tjera shkuan ters. Pasi u fut në dhomën e ndërrimit për të aktivizuar eksplozivin, ai u ndërpre para se të mund të përfundonte detyrën. Për pasojë u aktivizua vetëm njëra nga dy bombat, secila 1 kilogramësh.
Gjithashtu, kur Shtaufenberg u largua nga salla e konferencave, një nga gjeneralët në padijeni të situatës e shtyu çantën e tij më tej nën tryezë, ngjitur pas njërës prej këmbëve të trasha të tryezës, që e mbrojti Hitlerin nga forca e plotë e shpërthimit.
Dhe në fund, vapa e madhe e asaj dite luajti rolin e saj, pasi të gjitha dritaret e dhomës ishin të hapura. Nëse ato do të ishin të mbyllura, pasojat e shpërthimit do të kishin qenë shumë më të rënda./ TIRANA TODAY