Vaksina e Biontech/Pfizer 100 përqind efektive te minorenët

Të dyja kompanitë në Mainz dhe New York njoftuan se pjesëmarrësit në studimin e kishin toleruar mirë vaksinën. Efektet anësore janë të krahasueshme me ato në moshat 16-25 vjeç. Vaksina e Biontech/ Pfizer deri tani është aprovuar për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.

Sipas deklaratave të tyre, Biontech dhe Pfizer planifikojnë t’i paraqesin të dhënat në javët e ardhshme në Administratën e Ushqimit dhe Medikamenteve në SHBA dhe në Agjencinë Evropiane të Medikamenteve (EMA), “në mënyrë që të jenë në gjendje të zgjerojnë aplikimin për të rinjtë e moshës 12 deri në 15 vjeç, sa më herët që të jetë e mundur “. Të gjithë pjesëmarrësit në studim do të monitorohen për mbrojtje dhe siguri afatgjatë për dy vjet shtesë, pas marrjes së dozës së dytë.

“Lejimi i fëmijëve që të kthehen në jetën normale shkollore dhe të takojnë familjen dhe miqtë është shumë i rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ne duhet t’i mbrojmë ata dhe të afërmit e tyre”, deklaroi Ugur Sahin, themelues i Biontech-ut.

“Shpresojmë që më pas të fillojmë vaksinimin e kësaj grupmoshe përpara fillimit të vitit të ardhshëm shkollor,” tha shefi i Pfizer Albert Bourla, sipas njoftimit. Deri tani, ka pasur vetëm miratim të kushtëzuar në BE për personat e moshës 16 vjeç e lart.

Përveç kësaj, studimet kanë treguar se minorenët e vaksinuar zhvillojnë një përgjigje shumë të qartë me antitrupa.

Disa ditë më parë, Biontech dhe Pfizer njoftuan se kishin filluar studime edhe për fëmijë më të vegjël (nga gjashtë muaj deri në moshën 11 vjeç). “Rezultatet e para të studimit tek minorenët tregojnë se fëmijët janë veçanërisht të mbrojtur mirë nga vaksinimi,” tha më tej shefi i Biontechut, Ugur Sahin. Sipas Biontech dhe Pfizer, pjesëmarrësit midis moshës pesë dhe njëmbëdhjetë vjeç e morën dozën e parë të vaksinës javën e kaluar./DW/