Ushtria amerikane i dhuron Shqipërisë 29 automjete “Humvee” (Foto)

Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhuruar Forcave të Armatosura shqiptare 29 automjete luftarake shumë-përdorimshe (Humvee).

Lajmi është bërë i ditur nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ku thuhet se SHBA do të ndihmojë në rritjen e gadishmërisë ushtarake shqiptare.

”Njëzet e nëntë Automjete Shumë-Përdorimshme me Lëvizshmëri të Lartë (Humvee) mbërritën sot në Portin e Durrësit. Këto automjete janë dhurim për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë ushtarake shqiptare dhe ndërveprimit të saj me NATO-n.”, shkruan Ambasada në rrjetin social, Facebook.

Kjo ndihmë vjen vetëm pak muaj përpara nisjes së stërvitjes së madhe ushtarake tonë, ku rreth 6 mijë ushtarë amerikanë pritet të mbërrijnë në vendin tonë.