“Unë nuk e pranoj!”/ Historia e kuzhinierit të njohur italian që sfidoi mafian

Nga: Stefania Leo “Linkiesta”

“Pas asaj që kam kaluar, mendoj që edhe nëse do të më duhet të shkoj në luftë, plumbat do të shmangeshin!”. Natale Xhunta po e përdor tani frikën dhe vështirësitë, si një “motor” për punën e tij në kuzhinë. Atë nuk e trembi as Covid-19.

Vitin e fundit përveshi mëngët, dhe filloi të paketonte vetë ushqimet që dilnin nga kuzhina e tij. Ai organizoi një sistem shpërndarjeje të ushqimit nëpër shtëpi, dhe i çoi pjatat e tij në gjithë botën. Ky temperament dhe ky guxim nuk janë produkt i pandemisë, por i një përvoje edhe më të vështirë:i refuzimit të tij ndaj mafias, të cilën ai i tregon në librin “Unë refuzoj” të shkruar bashkë me Anxhelika Amodein.

Po kush është Natale Xhunta? Ai është një kuzhinier dhe pronar i një restoranti të njohur ndërkombëtarisht. I rritur në kuzhinë, së bashku me dy hallat që nuk bënin gjë tjetër veçse të gatuanin për të gjithë familjen, Natale e hapi restorantin e tij të parë të kuzhinës cilësore që kur ishte 21 vjeç.

Shumë të tjerë ndoqën shembullin e tij. Ai ka marrë pjesë dhe ka fituar shumë çmime në gara  të ndryshme gatimi, dhe që nga viti 2005 ka filluar bashkëpunimin me RAI-in, si i ftuar i rregullt i programit “La Prova del Cuoco”. Tani ai është pjesë e programit “Detto Fatto”.

Disa nga recetat e tij janë mbledhur në librin “Buonissimo!” të vitit 2019. Ai u bë i famshëm si kuzhinieri simbol i antimafias, pasi kur mafiozët i trokitën në derë për t’i thënë se po rrezikonte, dhe i ofruan mbrojtje në këmbim të një përqindje, ai pati guximin të telefononte policinë dhe të denonconte ata.

“Unë isha 32 vjeç. Isha duke fituar kontrata shumë të rëndësishme, si ajo për furnizimin e restorantit në Teatro Massimo të Palermos” -tha ai gjatë konferencës për shtyp me rastin e promovimit të librit të tij. “Ndërkohë një ditë erdhi dikush që filloi të më pyeste: Po a nuk ke frikë se mos të shqetëson dikush? Pra mafiozët që kërkojnë pjesën e tyre në këmbim të mbrojtjes (il pizzio)”- tha ai.

Deri më datën 3 mars 2012, Natale tallej gjithmonë me këto pyetje, derisa 3 njerëz që i ndryshuan jetën, u shfaqën papritur në derën e tij. Ata i thanë se perandoria e tij financiare kishte lindur dhe po lulëzonte pa marrë lejen e askujt.

“Ata po të vëzhgojnë që nga burgu, dhe janë gati të të lëndojnë. Ne jemi këtu që të mbrojmë“- shtuan më tej të panjohurit. Pasi e refuzoi ofertën e tyre, Natale Xhunta i telefonoi një miku që kishte përjetuar të njëjtin kërcënim, dhe që kishte pasur guximin të denonconte në polici.

Sipas këshillës së tij ai i telefonoi policisë, të cilës i tha se e kishte kërcënuar një bos i famshëm i mafias. Ajo telefonatë dhe intervista pasuese në polici, nuk ishte fundi i telasheve për të. Më e keqja duhej ende të vinte.Që nga marsi i vitit 2012, Natale Xhunta ka ndalur shpërndarjen e ushqimin për dasma të organizuara në vende të caktuara, apo për familje të caktuara.

Në 3 vite ai humbi 9 milion xhiro. Shumë  njerëz nuk punonin më për të. Policia i caktoi një truproje, dhe për 8 vite nuk mund të lëvizte dot nëpër tregjet lokale të Palermos, pasi kjo rrezikonte jetën e tij. “Në disa territore unë isha bërë “polici”. M’u desh  të punoja shumë për të rikrijuar qetësinë time“.

Dhe Natale pati sukses. Ai preferoi më shumë botën e televizionit, sesa të ishte në qendër të vëmendjes së politikës. “Ata ishin gati të më kandidonin për deputet, por unë preferoj të luftoj në terren kundër mafias”-thotë ai. Për më tepër, edhe mafia po fshihet në zinxhirin agro-ushqimor.

Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme të zgjidheshin furnizuesit edhe në bazë të lidhjeve të tyre me mafien, sepse sot organizatat kriminale kanë mësuar sesi të operojnë me transfertat bankare dhe faturat.

Natale ka zgjedhur që të furnizohet nga kompani shumëkombëshe ose “prodhues shumë të vegjël, që janë të sinqertë dhe transparentë, dhe që i fitojnë paratë me djersën e ballit”. Nga aty lindin pjatat e tij, të cilat janë tashmë në vetvete një manifest.

Duke folur për jetën e tij, Natale thotë:”Unë ndihem si një njeri i lirë. Gjithçka e kam ndërtuar me forcat e mia. Nuk kam trokitur kurrë diku për të kërkuar favore. Ajo që fitoj është rezultat i sakrificës dhe i orëve të gjata të punës, duke bërë atë që më pëlqen. E shndërrova frikën në forcë, për t’ia dalë, për të mbijetuar”.

Tani tregtarët nuk e shmangin më:”Unë bëj pazar në treg, dhe kam shumë respekt për shitësit e sinqertë, të cilët më mirëpresin dhe më përshëndesin, pasi e shohin që shkoj personalisht tek ata. E mora frikën dhe e bëra pjesë të jetës sime.

Kokëfortësia dhe dëshira për të pasur sukses, ishin për mua çelësi i suksesit në këtë moment historik të lidhur me Covid-19. Ne nuk duhet ta ulim kokën para asgjëje!”. Mbi të gjitha, siç thotë vetë shefi i famshëm i kuzhinës, në Siçili rruga është tashmë e vështirë:E çfarë mund të jetë vnjë pandemi?

Burimi i lajmit: https://www.linkiesta.it/2021/04/natale-giunta-chef-riscritto-lavoro-anti-mafia

Përshtatur nga TIRANA TODAY