Në kuadër të projektit të Unazës së Madhe, fadromat e IKMT-së po prishin një banesë në Shkozë të Tiranës. Fadromat kanë hasur rezistencën e familjarëve, të cilat refuzojnë që të dalin nga banesa e tyre. Ata janë ngujuar brenda, ndërkohë që me inspektorët e IKMT-së ka pasur dhe përplasje fizike.
Banesa në pronësi të Andrea Sulit, ka nisur të ndërtohet në vitin 1998. Për tokën ka certifikatë pronësie, por për godinën nuk ka. Shembja e banesës bëhet për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe, ndërsa janë dhe 10-15 shtëpi të tjera që janë parashikuar të shemben.
Kryefamiljari Andrea Suli është shprehur për mediat se ka pranuar që t’i prishet shtëpia, por me kusht që të marrë nga pushteti lokal një kontratë qiraje. Për prishjen e kësaj banese, familjarët kanë deklaruar se janë njoftuar vetëm dy javë para dhe se nuk kanë nxjerr as mobiljet nga banesa.
Prej disa muajsh, banorët e kësaj zone kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe, me pretendimin se është ndryshuar disa herë varianti origjinal i projektit.