Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar një ditë pasi Gjykata Administrative e Tiranës, pranoi se cilësia e ujit që furnizohet kryeqyteti është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.
Meta deklaroi se qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
Kreu i Shtetit përshëndeti aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast, dhe theksoi se nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, është rrezikuar jeta e qytetarëve.
Sipas tij, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar.
Postimi i Metës në rrjetin social, Facebook
Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.
Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.
Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.
“Gjyqi për ujin”
Gjykata Administrative e Tiranës e kishte nisur këtë proces pas një akt-padie të depozituar në Gjykatën e Tiranës nga shoqëria civile në vitin 2017. Sipas akt-padisë, “uji me të cilin furnizohen qytetarët e Tiranës nuk është i pijshëm”. Për të provuar akt-padi Qendra “ Res Publika” dhe shoqata “Impetus” kryen vetë analiza të ujit. Rezultati qe krejt e kundërta e asaj që pohohet zyrtarisht nga Bashkia.
Gjykata urdhëroi të hënën e 24 majit Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë. Sipas vendimit, ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizime është e detyruar që këto rezultate të analizave t’i dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren për të përmirësimin cilësisë së ujit.
Po kështu, gjykata urdhëroi ndërmarrjen Ujësjellës -Kanalizime Tiranë të raportojë tek “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impektus” rezultatet periodike të analizave si dhe masat që do të ndërmarrë kjo ndërmarrje që do të çojnë në garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.