Nuk ka vonuar dhe qëndrimi zyrtar i UEFA-s, që pas vendimit të sotëm të KAS-it në favor të qeverisë së futbollit dhe kundër Skënderbeut, praktikisht ka vendosur nisjen e një epoke të re në futboll. Nga sot, sistemi i monitorimit të basteve i ngritur nga UEFA dhe BFDS, është një matës zyrtar i parregullsive në tregun ilegal të trukimit të ndeshjeve.
Reagimi i UEFA-s:
“UEFA mirëpret vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit Sportiv për të refuzuar apelin e KS Skënderbeut kundër vendimit të 26 prillit 2018 të Komisionit të Apelit të UEFA-s. Njëkohësisht KAS ka konfirmuar vendimin e marrë nga organet disiplinore të UEFA-s për të përjashtuar KS Skënderbeun në veprimtaritë e UEFA-s për dhjetë vite dhe të gjobisë klubin me 1 milionë euro për shkak të përfshirjes së tij në aktivitet që synojnë kurdisjen e rezultateve të ndeshjeve. Ky është një konfirmim i mëtejshëm për besueshmërinë e sistemit të zbulimit të mashtrimeve të UEFA-s (BFDS) në identifikimin e modeleve anormale të basteve në ndeshjet që luajnë klubet në nivel evropian dhe vendas.
Me këtë vendim, KAS mbështet përpjekjet për të mbrojtur si kampionatet, ashtu edhe veprimtaritë e UEFA-s nga paracaktimi i rezultatit. Gjithashtu tregon besimin që KAS ka në sistemin që UEFA dhe BFDS kanë zhvilluar së bashku me Sportradarin, që është një instrument i mëtejshëm në ndihmë për të garantuar integritetin e veprimtarive. Raportet e monitorimit të basteve si ato të ofruara nga Sportradar dhe ofruesit e tjerë, si në raste specifike Starlizard, konfirmohen si mjete të përshtatshme në luftën kundër ndreqjes së ndeshjeve.
Sistemi BFDS u ngrit në vitin 2009 si përgjigje për kërcënimin në rritje të manipulimit të ndeshjeve si në veprimtaritë e UEFA-s, ashtu dhe në ligat kombëtare.
Roli i tij është të monitorojë parregullsitë në lëvizjet e basteve, përpara dhe gjatë ndeshjeve (live) në tregjet kryesore të basteve, duke monitoruar kompanitë më të madhe evropiane dhe aziatike. Monitorimi i tregut të basteve mbulon të gjitha ndeshjet në veprimtaritë e UEFA-s (gati 2000 në sezon) dhe ndeshjet në dy divizionet kryesore dhe kupave të anëtarëve të UEFA-s (gati 30000 në sezon). Procesi i monitorimit përdor algoritme të sofistikuara dhe modele matematikore për të krahasuar kuotat e llogaritura me ato aktuale të kompanive të basteve për të përcaktuar nëse kuotat, në një minutë ose kohë të caktuar, janë të parregullta”.