Pas takimit me zyrtaren e lartë të DASH, Karen Donfried, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha për gazetarët se ka marrë mbështetjen e SHBA për një opozitë të fortë. Ndonëse nuk u përgjigj nëse ka diskutuar për emrin e Sali Berishës në takimin me zyrtaren e DASH, Alibeaj pranoi se ka marrë mbështetjen e saj për një opozitë që sheh nga e ardhmja. Alibeaj theksoi se në takimin me Donfried u diskutua për çështje si demokracia, shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.
“Folëm për çështje të rëndësishme që Shqipëria duke u përballur, siç është ajo e demokracisë, me të gjitha sfumuturat e veta, çështje që lidhen me zgjedhjet, krimit të organizuar. Diskutuam edhe për çështje të shtetit të së drejtës. Po kështu edhe për çështje të rëndësishme siç është ajo e luftës ndaj korrupsionit. Dhe unë besoj që janë sfida të vërteta dhe i shpreha vërtetë vendosmërinë, qartësinë tonë për të çuar përpara këto sfida dhe për të dhënë kontributin tonë.
Nuk mund të lija pa diskutuar marrëdhënien e posaçme që Partia Demokratike ka pasur me Shtetet e Bashkuara që në lindjen e saj, e në gjithë trajektoren e veprimtarisë politike të Partisë Demokratike. Me kënaqësi vura re dhe pashë mbështetjen e madhe për këtë marrëdhënie të posaçme që SHBA ka me PD. Sigurisht dihet fare mirë situata e vështirë që po kalon Partia Demokratike.
Por mora mbështetjen e zonjës dhe Departamentit të Shtetit dhe shtetit amerikan, për mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme drejt integrimit europian. Të një opozite pro amerikane e cila sheh nga e ardhmja. Besoj që këto janë çështje të rëndësisshme të cilat preokupojnë jo vetëm PD, por gjithë Shqipërinë në këtë situatë”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.