Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka reaguar pas lajmit të shpërndarë në media se ai është infektuar me koronavirus.
Ai thotë se ka bërë tamponin, dhe është në pritje të përgjigjes. Pas shfaqjes së disa simptomave të lehta, Golemi ka marrë vendimin për tu izoluar në banesë, për të mos rrezikuar njerëzit e tjerë.
Ndër të tjera njofton se ai do të vazhdojë të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia. Flamur Golemi ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, dhe se po pret rikuperimin e plotë, për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë.
Statusi
Miq,
pas disa simptomave të lehta që më janë shfaqur një ditë më parë, të ngjashme me Covid 19, vendosa të izolohem në banesë, për të mos rrezikuar kolegët në punë dhe persona të tjerë me të cilët do të kisha kontakt. Kam kryer tamponin dhe po pres zyrtarisht nga ISHP-ja përgjigjen. Ndërkohë do të vazhdoj të ndjek punët dhe detyrat në distancë nga shtëpia. Jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe po pres rikuperimin e plotë për t’iu rikthyer sërish angazhimeve si më parë. Ju falënderoj për qindra mesazhe e telefonata që kam marrë fill pas publikimit të nxituar të lajmit në disa media. Duke u kujdesur për veten dhe familjen tuaj do ta mbani larg Covid 19 dhe së bashku do ta fitojmë luftën me armikun e padukshëm.
Ju përshëndes!