Gjatë takimit elektoral në Dropull, kreu i qeverisë, Rama në fjalimin e tij ka ironizuar edhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Në fjalën e mbajtur, Rama nuk i ka kursyer batutat në lidhje me Bashën, duke thënë se njëherë u bë si Romeo, por nuk mund të jetojë si ai.
Kryeministri solli në vëmendje paktin politik mes tij dhe Lulzim Bashës para zgjedhjeve parlamentare të 2017, duke thënë se as në atë kohë nuk donin të bënin marrëveshje, dhe “Xhuljeta qëndronte te dritarja edhe thoshte “do hidhem, do hidhem”.
“Nuk i thoja dot hidhu, po në ballkon aty në kat të tretë u përqafuam, mori ça deshi, ministri, drejtori, KQZ. Atëherë të paktën nuk i dogjën mandatet, nuk gjuanin me molotov”, u shpreh Rama në fjalimin e tij.
Deklarata e plotë:
“Është një situatë që duhet ta trajtojmë dhe si një lloj situate klinike të opozitës. Prandaj, më 30 qershor është e rëndësishme të mbyllet procesi dhe të gjithë të marrin atë që iu takon. Nuk e kemi fare qëllimin që t’i kapim të gjitha, se dy vite më parë e kishim gati. Nuk donin të bënin marrëveshje, Amerika u dorëzua, tha bëni vetë marrëveshje. Xhulieja rrinte te dritarja thoshte ‘do hidhem, do hidhem”.
Nuk i thoja dot hidhu, po në ballkon aty në kat të tretë u përqafuam, mori ca deshi, ministri, drejtori, KQZ. Atëherë të paktën nuk i dogjën mandatet, nuk gjuanin me molotov. Sic duket tani mendojnë se duke i djegur të gjitha, do i marrin të gjitha. Me gjithë keqardhjen për Xhuljetën, unë Romeo mund të bëhem njëherë, por nuk mund të jetoj si Romeo”.