Një ngjarje e çuditshme është regjistruar në Argjentinë, ku disa peshkatarë që kishin më shumë se një muaj në det të hapur kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
Anija e peshkimit, Echizen Maru e la portin në Ushuaia, Argjentina Jugore, 35 ditë më parë. Ajo u kthye pas më shumë se një muaji, pasi disa marinarë u sëmurën. Ata iu nënshtruan tamponit dhe rezultoi që 57 nga 61 prej tyre ishin pozitiv me koronavirus.
Shkencëtarët mbi këtë rast kanë ngritur një shqetësim të madh, sepse anija nuk kishte asnjë kontakt me tokën, ndërsa ishte në det të hapur për më shumë se një muaj.
Sipas mediave të huaja, të gjithë marinarët testuan negativë dhe ishin në karantinë 14-ditore para se të fillonte udhëtimi.
“Shumë e vështirë të përcaktohet se si u infektuan anëtarët e ekuipazhit, duke marrë parasysh që për 35 ditë, ata nuk kishin asnjë kontakt me tokën,” tha Alejandra Alfaro, drejtori i ekipit teknik të pandemisë, në Argjentinë.
Ndërkohë, një ekip po shqyrton kronologjinë e simptomave në ekuipazh, për të përcaktuar infektimin e peshkatarëve.