Kryeministri Edi Rama ka komentuar sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë protestave për Teatrin Kombëtar.
Në një intervistë për Neës24, Rama tha se sjellja e policisë ishte evropiane, duke mohuar edhe skenat e dhunës të publikuar në rrjetet sociale.
“Policia e shtetit është sjellë si polici evropiane. Nuk kam parë asnjë skenë, asnjë pamje, asnjë provë, për të kundërtën”, tha ai.
Më tej në intervistë, kreu i qeverisë foli edhe për rastin e shoqërimit të gazetarit Alfred Lela në komisariat. I pyetur nëse kishte dhunë gjatë ndalimit të tij, Rama u përgjigj se neutralizime të tilla janë normale edhe në Amerikë.
“Policia e Shtetit është sjellë në mënyrë evropiane. Edhe në BE, edhe në Amerikë shikoni nëse diçka e tillë konsiderohet apo jo dhunë. Mesa duket duhet të biem dakord për fjalën “dhunë”, se çfarë nënkuptojmë me këtë fjalë. Po flasim për një vend normal tashmë, kur më herët kërdiseshe po të ishe gazetar, janë plagosur me kallashnikovë gazetarë dhe janë vrarë njerëz nga kryeministria.
Policia ka thënë se aty do ndërhyhej dhe largimi fizik i një personi është krejt normal. Unë madje mendoj se Policia e Shtetit është provokuar dhe sulmuar fizikisht, është gjetur në pozitë të vështirë. Aty nuk kishte artistë e qytetarë, por kishte një grup politik. Edhe në Amerikë ka neutralizime normale, keni parë përpara Shtëpisë së Bardhë teksa shoqërojnë. Këto janë pamje të neutralizimit të personave që hidhen mbi policinë. Kjo është procedurë normale edhe në Evropë”, shtoi ai.