U akuzua për plagjiaturë, ministrja e Punës në Austri jep dorëheqjen

Akuzat për kopjim të punimit të doktoraturës e ka detyruar Ministren e Punës së Austrisë, Christine Aschbacher, të jepte dorëheqjen. Pavarësisht se ajo i ka mohuar në mënyrë kategorike këto akuza, vendimi që ka ndërmarrë lidhet ngushtësisht me familjen e saj. Aschbacher ka thënë se është dorëhequr për të mbrojtur familjen e saj, nga sulmet që i janë bërë.

“Nuk mund të lejoj që kjo të vazhdojë, për të mbrojtur familjen time. Për këtë arsye, unë jam duke dhënë dorëheqjen nga zyra”, ka deklaruar ajo.

Gjatë ditëve të fundit, ministrja është vënë në qendër të akuzave pasi pretendohet se kopjoi të paktën një të pestën e punimit të saj të doktoratës, si dhe pjesë të tezës së saj të diplomës.

Akuzat janë bërë nga akademiku Stefan Weber, i cili është specializuar në studimin e plagjiaturës.

Sipas Weber, Aschbacher kishte marrë të paktën një të pestën e disertacionit të saj, të titulluar “Hartimi i një Stili Lidershipi për Kompanitë Inovative”, nga burime të tjera pa etiketuar siç duhet citimet.