Që nga zbulimi i rezervave të konsiderueshme të gazit, tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë ardhur duke u shtuar. Hendeku mes Athinës dhe Ankarasë u zgjerua me vendimin e Turqisë për të shtuar aktivitetet e kërkimit të energjisë në Mesdheun Lindor.
Qeveria turke e kundërshton pretendimin e Greqisë për të drejtat ekskluzive, duke argumentuar se ishujt nuk duhet të përfshihen në llogaritjen e kufijve detarë midis shteteve.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka ashpërsuar tonet lidhur me tensionet me Greqinë. Ai ka thënë se Turqia nuk do të tolerojë veprime të paligjshme në rajonet e Egjeut dhe Mesdheut. Erdogan ka këmbëngulur, duke thënë se askush nuk mund ta kufizojë Turqinë.
“Askush nuk mund ta kufizojë Turqinë, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe. Ne jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat detare të qytetarëve tanë, dhe banorëve të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC)”, tha Erdogan.
Goditja e fundit e tij ndaj Greqisë erdhi një ditë pas raporteve në media, se Athina po dërgon personel ushtarak dhe furnizime në ishullin e Kastellorizo (Megisti-Meis), një ishull ligjërisht i çmilitarizuar i cili shtrihet 2 kilometra nga bregu turk.
Lëvizja ngjalli zemërimin e politikanëve turq, të cilët e kritikuan si veprim provokues dhe të paligjshëm.